Nga Boldnews.al
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zgjedhur të heshtë para protestave të mëdha të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët kërkojnë që provimet t’i kryejnë në gjuhën shqipe, ashtu sikurse e përcakton kushtetuta e atij vendi. Ministri nuk bzani as kur 40 studentë shqiptarë për tetë orë rresht gati u mbajtën peng nga policia maqedone, duke mos i lejuar që tu bashkoheshin kolegëve në protestën e Shkupit.
Po përse hesht Hoxha? Padyshim që ai është nën një traumë psikologjike ku në tre raste që ka mbajtur qëndrime, (duke folur aspo shkruar) u përfshi në gafa të rënda diplomatike. Fillimisht në një komunkim me grupin e ambasadorëve në ëhatsapp, Hoxha duke iu referuar pikërisht situatën në Maqedoninë e Veriut u shpreh: “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”? Këtë skandal u mundua ta kalonte lehtë si “një çështje të kaluar”.
Pa ikur kjo jehonë e shumë e rëndë, Hoxhës i foli goja para mendjes, këtë herë mërziti Ramën e tolloviti gjithë Italinë. “Marrëveshja ka një afat pesëvjeçar dhe nuk jam i sigurt se do të ketë rinovim”, tha Hoxha, por tërboi Ramën duke kundërreaguar shpejt se deklarata e ministrit të tij ishte dalë nga konteksti dhe se marrëveshja me Italinë do vijonte.
Deklarata më e fundit është një qëndrim i thatë, pa bosht e ide, e mbi të gjitha i vonuar, ndonëse në mesin e të arrestuarve dhe trajtimin çnjerëzpor nga policia Izraelite të disa aktivistëve që dërgonin ndihma në Gaza ishte edhe një shqiptar. “Imazhet e ndara nga Ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme”, shkruajti Hoxha, një qëndrim pa yndyrë dhe pasi gjithë bota e kishte dënuar aktiv.
Jo pak skandale në dy muaj punë, por përtej faktit, heshtja e tanishmë është më shumë se “frikë nga fjala e tij” dhe mbi të gjitha frikë nga Rama. Çuditërisht, i cilësuari si teknicien i mirë dhe diplomat karriere, Hoxha nuk po arrin as në gjysmëlartësinë e paraardhëses së tij, të “syrgjonosurës” Elisa Spiropali. Në referim të situatës që po kalojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, më 8 shkurt të këtij viti Spiropali mbajti qëndrim të prerë, pa shumë nënkuptime.
“Përgëzoj studentët për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi”, tha ajo. I ardhuri me shumë bujë po venitet po me aq bujë. Ka gjetur heshtjen, pasi nëse flet, nuk dihet se në çfarë gafash tjera përfshihet dhe Rama nuk fal më.














