Nga Boldnews.al
Është njësoj si një piroman recidivist ta emërosh “rojtar pylli”, pasi t’i kesh dhënë në duar benzinë dhe shkrepëse. Kjo ndodhi në Parlament, kur deputetët e mazhorancës zgjodhën Genta Tafa Bungon, Komisioneren Kundër Diskriminimit. Ish-anëtarja e KPK-së (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) në vetingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte emri që socialistët nuk mund ta kthenin kurrë pas…
Emri që mori bekimin e mazhorancës që do të drejtojë “institucionin e pavarur”, u përfshi në një skandal të dyshuar serioz ku pretendohet se në një audiopërgjim ajo shprehet: “Do t’i heqim ata malokët”, duke iu referuar gjyqtarëve dhe prokurorëve nga veriu i vendit.
“Ky është një turp kryetar, një njeri që ka diskriminuar veriun… Një njeri që është përdorur politikisht në procesin e Vettingut… Ky është turp, turp, turp”, tha deputeti i PD-së Gazmend Bardhi, teksa Tafa ishte në foltore gjatë momentit të betimit. Të gjithë në rresht 83 vota të socialistëve e katapultuan Bungon në “institucionin e pavarur”. Ndër të tjera Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është institucion i pavarur në ushtrimin e detyrës, që siguron mbrojtjen nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, vendbanimit etj.
Paradoksalisht e akuzuar si e dyshuar për diskriminim krahinor e gjuhësor mori postin e personit që të mbron nga diskriminimi. Një detyrë që ajo nuk e kishte preferencën e saj të parë, por siç i rrodhi situata duhet të jetë e lumtur.
Ajo aplikoi për të qenë anëtare e Gjykatës së Lartë, por pas verifikimit të kriterit të pasurisë, Bungo nuk e kaloi këtë test, duke mos justifikuar llogaritë bankare dhe pasuritë e pantundshme. Pasi nuk u pranua si anëtare e Gjykatës së Lartë për shkak të moskalimit të kriterit të pasurisë, vendosi të katapultohej nga socialistët në zyrën e Komisionerit Kundër Diskriminimit.














