Skena paniku janë regjistruar në qytetin italian të Modenës, ku një automjet ka hyrë me shpejtësi në një zonë me këmbësorë, duke lënë të paktën 10 persona të plagosur.
Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ndërsa dëshmitarët përshkruajnë momente kaosi pas përplasjes së fortë.
Sipas mediave italiane, drejtuesi i mjetit, një 31-vjeçar, tentoi të largohej menjëherë pas aksidentit.
Raportohet se gjatë përpjekjes për t’u arratisur, ai ka sulmuar me thikë një person që i kishte dalë përpara për ta ndaluar. Policia arriti ta vërë në pranga pak minuta më vonë.
Mes të plagosurve ka edhe persona në gjendje të rëndë. Mediat vendase raportojnë se një prej tyre ka humbur të dyja këmbët si pasojë e goditjes së fortë nga automjeti.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa zona u rrethua menjëherë nga forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës.














