Rasti i trajtuar në pjesën e fundit të emisionit investigativ “Stop”, në Tv Klan, sot, më 4 maj, lidhet me mbifaturim të energjisë elektrike në Tiranë për muajin mars 2012, në kohën kur furnizimi administrohej nga CEZ Shpërndarje.
Denoncimi vjen nga Ferit Milanj, dhëndri i personit që ka problemin, i cili rezulton me një faturë prej 1 milionë e 600 mijë lekë të vjetra, që, me kamatëvonesat, ka arritur në 3 milionë e 200 mijë lekë.
“Abonenti ka qenë shumë i rregullt…!”
Sipas familjarëve, kjo vlerë është e pajustifikuar, pasi ata disponojnë prova që konsumi real për atë muaj ka qenë rreth 15 mijë lekë të vjetra, i dokumentuar në librezën e matësit. Megjithatë, ekziston edhe një faturë tatimore për të njëjtën periudhë, me shumën e lartë.
Për zgjidhjen e çështjes, familja i është drejtuar Entit Rregullator të Energjisë, që ka kërkuar ndjekjen e rastit nga OSHEE.
Në vitin 2019, OSHEE është përgjigjur se, për shkak të keqmenaxhimit të arkivave nga CEZ, nuk është e mundur të verifikohen procedurat e faturimit të asaj kohe.
/Emisioni STOP














