Biznesi fason është një nga bizneset më fitimprurëse në Shqipëri, ku gjeneron miliona euro të ardhura në vit, por problemi që mbulon këtë sektor mbetet i njëjtë, pavarësisht viteve që ikin: kushtet e punës për punonjësit dhe pagat.
Këto të fundit, në rastin më të “mirë”, jepen me vonesë, ndërsa në rastin më të keq nuk jepen fare, siç është rasti që po trajtojmë këtë të premte.
Jemi në Durrës, aty ku dhjetëra punonjës të fasonerisë “SC Invest”, pjesë e grupit italian “Denim Factory”, kanë pagën e muajit janar ende pa marrë, ndërsa shuma të konsiderueshme u janë mbajtur edhe nga muajt e tjerë që kanë kaluar.
Sipas tyre, pronari shqiptar, Blerim Hajdinolli, nuk u përgjigjet më, pasi ka marrë lekët nga biznesi italian, që duhet të kishin shkuar për pagat e tyre, por në fakt, sipas tyre, nuk dihet se ku kanë shkuar.
Ndërsa siguracionet, ashtu siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, nuk u janë paguar, duke e kthyer këtë detyrim ligjor si një të drejtë ekskluzive të pronarëve, që kur duan i paguajnë e kur nuk duan nuk i paguajnë, duke shkelur me të dyja këmbët ligjin.
Të rraskapitura nga puna sfilitëse dhe me një zhgënjim që u duket në sy, ato kërkojnë ndihmë. Pasi, siç shprehen vetë, institucionet shtetërore nuk u kanë ofruar asnjë zgjidhje. Sipas tyre, Inspektoriati i Punës, Durrës, nuk u ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete, përveçse ka vënë në dukje shkeljet e bëra nga zoti Hajdinolli.
Gjatë rrëfimeve të tyre, ato tregojnë vështirësitë e punës, orët e gjata dhe shtesë që kanë punuar në sektorë të ndryshëm, ndërsa disa prej tyre kanë edhe shenja të djegurash në duar, të shkaktuara nga hekuri gjatë procesit të hekurosjes.
Pasi dëgjuam rrëfimet e punonjësve, u nisëm drejt Sukthit, aty ku banon edhe zoti Blerim Hajdinolli, të cilin patëm edhe fatin ta takonim dhe të merrnim një përgjigje prej tij. Në përballjen me zonjat, ish-punonjëset e tij, zoti Hajdinolli e pranon se i ka marrë 18 mijë euro nga pronari italian, por që, sipas tij, ia paska bllokuar banka për shkak se ishte debitor.
Po ku është faji i zonjave në këtë mes?
Në fakt, ato nuk kanë asnjë faj, prandaj edhe kërkojnë me ngulm të drejtën e tyre. Pas një bisede disa minutëshe, Hajdinolli zotohet që brenda dymbëdhjetë ditësh të bëjë pagesën që u detyrohet zonjave. / Piranjat














