Nga Boldnews.al
Emërimi i Ferit Hoxhës në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u përkrah gjerësisht, duke e cilësuar si diplomat karriere që i bënte nder vendit në përfaqësimin ndërkombëtar.
Po a u “idiotizua” për vetëm pak muaj i ulur në “sofrën e Rilindjes”, me kryeministër Edi Ramën?
Nëse konfirmohet vërtetësia e një mesazhi të publikuar nga deputetë të opozitës, minimalisht ministri Hoxha duhet të mendojë seriozisht një dorëheqje, për të ruajtur paksa nderin, tashmë të humbur.
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka publikuar në rrjetet sociale një komunikim në grupin whatsapp, që thuhet se është mes ministrit Hoxha dhe një grupi zyrtarësh të ministrisë. “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”, shkruan Hoxha, duke iu referuar shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Pas publikimit të këtij lajmi ministri nuk ka reaguar për ta përgënjështruar si të pavërtetë. Kjo shton edhe më shumë dyshimin mbi vërtetësinë e këtij komunikimi që përveç mungesës së etikës shoqërohet me përbuzje, denigrim dhe distancim të frikshëm.
Për çfarëdo arsye (pa arsye kur bëhet fjalë për një ministër), nuk mund t’i justifikohet kjo gjuhë fyes, përbuzëse, nënçmuese dhe përjashtuese për shqiptarët që po kalojnë çaste të vështira të cilëve po u mohohet edhe gjuha amtare. Në vend që të gjejë mbështetjen nga Tirana zyrtare, politike dhe diplomatike për një të drejtë dhe detyrim kushtetues, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut marrin fyerjen e ministrit Hoxha.
Dy rrugë ka në këtë rrugë pa krye dhe moral. Ose Hoxha është “idiotizuar” sapo është bërë ministër i kësaj qeverie; ose kopertura e një diplomati karriere u glorifikua aq shumë duke mos merituar as “postin” e rojes së portës së Ministrisë së Jashtme.
Megjithatë, Ferit Hoxha plotëson më së miri kriteret e Ramës për të qënë ministër, të kesh një vëlla të përfshirë në aktivitete kriminale. Vëllai i Feritit, Gëzimi është në hetim nga SPAK-u për dhjetëra miliona euro tendera të përfituar në AKSHI-n e Mirlinda Karçanajt.














