Deputetja demokrate Jorida Tabaku gjatë një seance pyetje-përgjigje në Kuvend akuzoi qeverinë se po favorizon ndërtuesit përmes çmimeve të ulëta të referencës, duke u mundësuar atyre të paguajnë më pak taksa.
Sipas saj, ndërtimi është një nga sektorët me nivelin më të lartë të informalitetit dhe një fushë ku pastrimi i parave ka hapësirë të madhe për të ndodhur.
Tabaku shtoi se ndërkohë që ndërtuesit përfitojnë, bizneset e vogla po përballen me kontrolle të shpeshta tatimore.
Ndërtuesit janë përfituesit kryesorë të kësaj që qeveria ka bërë. A nuk përbën kjo një praktikë mbrotje për ndërtuesit? Ndërtimi është një nga sektorët me informalitetin më të lartë. Një nga sektorët ku pastrimi i parave, sipas të gjithë informacioneve ndërkombëtare, ka hapësirën më të madhe për të ndodhur dhe ndodh realisht. Me 9 milionë metra katrorë ndërtim gjatë viteve të kaluara. Ndërkohë bizneseve të vogla u janë turrur inspektorët tatimorë. Pse ministria e Financave e ka çuar në kalendat greke zbatimin e këtij projektligji. Qeveria fsheh përfituesit e vërtetë, mbron interesa kriminale e korruptive. Çmimet e apartamenteve kanë shkuar nga 2500-6000 euro metri katror. Po bëni ligje me porosi”,tha mes të tjerash Tabaku.
Nga ana tjetër, ministri i Financave Petrit Malaj tha se taksimi në ndërtim bëhet mbi preventivin e investimit dhe jo mbi çmimet e referencës.
“Procesi i rivlerësimit ka filluar në dhjetor 2025 dhe po vijon me ritme shumë të mira. Deri tani janë rreth 9500 aplikime dhe do të jetë i hapur deri më 31 dhjetor 2026. Vendimmarrja për çmimet e reja të referencës është shumë e rëndësishme dhe po punohet për të reflektuar sa më realisht tregun. Sa i takon bizneseve të vogla, gjatë vitit 2025 janë kryer vetëm 3700 kontrolle, që përbëjnë rreth 3% të tatimpaguesve aktivë,” – u shpreh Malaj.













