Një operacion i gjerë i autoriteteve italiane ka goditur një rrjet të organizuar prostitucioni në Milano, i cili vepronte i kamufluar si agjenci për organizimin e eventeve, ndërsa mes klientëve dyshohet se kishte edhe futbollistë të njohur të kampionatit italian, Serie A.
Sipas mediave italiane, hetimi, i drejtuar nga Prokuroria e Milanos dhe i zbatuar nga Guardia di Finanza, çoi në arrestimin e katër personave dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 1.2 milionë euro, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas autoriteteve, rrjeti ofronte paketa “luksi” për klientë me profil të lartë, ku përfshiheshin dalje në klube nate, akomodim në hotele dhe shoqërim nga eskorta, me kosto që arrinin në disa mijëra euro për një natë.
Në qendër të skemës ishte një kompani me seli në Cinisello Balsamo, e cila shërbente si fasadë ligjore për organizimin e eventeve, ndërsa në praktikë merrej me rekrutimin dhe menaxhimin e grave që ofronin shërbime seksuale.
Me urdhër të gjykatëses Chiara Valori, organizatorët janë vendosur në arrest shtëpiak, nën akuzat për shfrytëzim prostitucioni dhe pastrim parash.
Hetimet financiare zbuluan se të ardhurat dhe pasuritë e të dyshuarve ishin të pajustifikuara krahasuar me deklarimet zyrtare, duke forcuar dyshimet se aktiviteti kriminal fshihej pas biznesit të eventeve.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë, përfshirë edhe klientët VIP që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij rrjeti.














