Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar këtë të premte, një padi në Prokurorinë e Tiranës ku kërkon nisjen e hetimeve për falsifikim të dokumenteve.
Veliaj kërkon hetimin e dokumentit që shërbeu si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij.
Sipas kallëzimit, të depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, hetimi ndaj tij është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i quajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve zyrtare, nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile, thuhet në kallëzim.
Veliaj kërkon identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe firmosur këtë dokument, si dhe hetimin e përgjegjësive penale mbi rastin.
Pjesë nga kallëzimi
Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që mekanizmi penal të përdoret në mënyrë selektive, mbi baza të fabrikuara, thjesht për të justifikuar nisjen e hetimeve ndaj individëve të caktuar. Për rrjedhojë, është thelbësore që çdo procedim penal të mbështetet mbi burime të ligjshme dhe të verifikueshme, dhe jo mbi veprime që, në vetvete, cenojnë ligjin penal. Ndryshe, do të legjitimohej një praktikë e papranueshme, ku vetë shkelja e ligjit penal do të përdorej si mjet për vënien në lëvizje të ndjekjes penale, duke përmbysur logjikën themelore të sistemit të drejtësisë.
Një qasje e tillë do të krijonte rrezikun real që subjektet e ngarkuara me zbatimin e ligjit, në vend që ta garantojnë atë, të përfshihen në shkeljen e tij në mënyrë selektive, me qëllim realizimin e objektivave të paracaktuara, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Për sa më sipër, kërkoj:
i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit.
ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK”














