Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se çdo anije që i afrohet zonës së bllokuar do të goditet menjëherë. Deklarata e tij vjen në një kohë kur Uashingtoni ka vendosur zyrtarisht bllokadë detare ndaj porteve iraniane.
Bllokada detare amerikane e porteve iraniane ka hyrë në fuqi pak minuta më parë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me anë të një postimi në “Truth Social” ka deklaruar se çdo anije që tenton të futet në Iran do të goditet menjëherë.
Trump pretendoi se marina iraniane është “shkatërruar plotësisht”, duke shtuar se 158 anije iraniane janë fundosur.
Ai paralajmëroi gjithashtu se edhe anijet e mbetura, përfshirë ato të shpejta sulmuese, do të goditen nëse i afrohen zonës së bllokadës.
Në fuqi bllokada detare
Bllokada detare ndaj Iranit hyri në fuqi në orën 10:00 sipas orës lokale në bregun lindor pas dështimit të përpjekjeve për një marrëveshje që do të çonte në përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Vendimi u konfirmua nga United States Central Command.
Sipas autoriteteve amerikane, bllokada shtrihet në Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, në lindje të Ngushticës së Hormuzit, dhe zbatohet për të gjitha anijet, pavarësisht flamurit që mbajnë. Çdo mjet lundrues që hyn apo del nga zona pa leje rrezikon të ndalohet, devijohet ose sekuestrohet.
Megjithatë, theksohet se kalimi neutral nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt destinacioneve jo-iraniane do të lejohet.
Reagimi i Iranit
Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër, duke i cilësuar masat amerikane në ujërat ndërkombëtare si “të paligjshme” dhe “të barasvlershme me pirateri”. Teherani paralajmëroi kundërpërgjigje, duke theksuar se nëse portet iraniane rrezikohen, atëherë asnjë port në rajonin e Gjirit nuk do të jetë i sigurt.
Autoritetet iraniane njoftuan gjithashtu se do të vendosin një mekanizëm të përhershëm kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit.














