Kryeministri Edi Rama vijon propagandat, teksa u shpreh se zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme, pasi sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndryshe nga çfarë thonë raportet ndërkombëtare që tregojnë një skepticizëm të dukshëm me disa shtete anëtare që mbeten të rezervuara për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Shqipërinë, gjatë fjalës së tij në asamblenë e PS në Durrës, Rama tha se vendi ndodhet përballë një momenti historik duke shtuar se ka marrë sinjale pozitive nga Bashkimi Europian.
“Është hapur një derë në BE, na kanë thënë ata: ne ju duam, ne duhet të bëjmë çmos të mos mbyllet dera pa hyrë ne brenda”, u shpreh Rama. Ai theksoi se ky është një shans që nuk duhet humbur.
Rama deklaroi se ata kanë në shpinë një gur të madh për integrimin e vendit në BE, por mohoi se ishte e vërtetë që 9 shtete kishin vënë veton ndaj Shqipërisë për mbylljen e negociatave.
Ai i cilësoi barcaleta, teksa e cilësoi moment historik që ta ngjisin “gurin” në majën e BE-së.
“Kur hapëm negociatat i hapëm për 11 muaj, i hapëm sepse kishim punuar për vite me radhë. Kjo e 9 shteteve është barcaletë. Që kanë vënë veton 9 shtete, është barcaletë. Veton e vë vetëm një, të tjerat votojnë.
Është kot kjo e vetos. Ata të katit të dytë vijnë dhe ulen në katin e parë dhe flasin me ne dhe të tjerët dhe pyesin. Çohet njëri dhe flet për Minoritetet, pyet, çohet tjetri pyet për diçka tjetër dhe kështu me radhë raund pyetjesh pak e nga pak derisa mbarojnë pyetjet.
Besoj deri në fund prillit apo majit mbyllet kjo dhe del rezultati. Bëhet si me Bordin e Paqes, nuk ka ftesë e nuk ka ftesë, erdhi ftesa e Bordit të Paqes, pastaj thanë jo se nuk i ka ardhur atij. Pastaj historia me gocën se nuk shkova atje, ore jam me gocën e tij…”, tha Rama.













