Arrestimi dhe lirimi i zyrtarëve të kompanisë Bankers për gazetarin Klodian Tomorri është pjesë e një historie qesharake.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Tomorri deklaroi se Bankers me 4 kompani satelite që i kishte krijuar vetë, nxirrte para jashtë shtetit dhe shmangte taksat, duke mos paguar asgjë për llogari të buxhetit të shtetit shqiptar.
Sipas Tomorrit Kompania përdor një llogari në Vjenë, ndërsa në Shwipëri sipas tij nuk kishte asnjë lek.
“Ajo që di të them është që e gjitha kjo është një histori qesharake, ne e kemi debatuar këtu, kur ndodhi edhe aksioni që unë kam thënë që atëherë, kjo nuk ka fokus interesin publik. Është thjesht intriga dhe siç rezultoi e tillë, sepse hetimi për Bankers-in nisi nga 4 kompani, të cilat i kishte bërë vetë Bankersi, me të nxirrte paratë nga “thesi i madh”, i nxirrte, i zhdukte në llogaritë e veta nëpërmjet bankave që janë këtu, përdorte ndërmjetës.
Ajo përdor një llogari në Vjenë, që këta e kanë miratuar në kontratën koncensionare dhe kjo është një çmenduri tjetër. Pra, nafta është e shqiptarëve. Paratë nuk vijnë në Shqipëri për asnjë moment, shkojnë në Vjenë dhe prej aty, Bankersi pastaj i menaxhon, ndan, paguan kë të dojë. Dhe jo vetëm për mbaruesit për llogari të privatëve, por edhe për mbaruesit të cilët duhet të merrnin detyrimet e shtetit, taksa, tatime që Bankersi kishte.
Dhe në Shqipëri nuk kishte asnjë lek, nuk kapnin dot asgjë, sepse paratë shkonin në Vjenë. Po, ajo që po thoja është kjo, që kjo nisi si një histori qesharake dhe po përfundon e tillë, sepse është një hetim që nis nga hetimi tatimor.
Pra, ka nisur drejtoria e tatimeve, e cila pa se Bankers me 4 kompani satelite që i kishte krijuar vetë, nxirrte para jashtë shtetit dhe shmangte taksat, sepse normalisht transferonte fitimin nga vetja e vet tek këto kompani. Bankers ka një normë tatim fitimi 50%, pra, ka një kufi të caktuar që kur rikuperon kostot e investimeve që ka bërë, duhet ta ndajë fitimin përgjysmë me shtetin, sepse shfrytëzon një pasuri që është e shtetit, është publike dhe prandaj ka këtë normë taksimi që nuk e ka si biznes tjetër, bizneset e tjera kanë 15%, sa është shkalla statutore e taksës në Shqipëri.
Këtu taksohet 50%. Për mos të vajtur tek kjo shifër, pra për mos të dalë pozitiv që të paguante 50%, ç’i mbanin këto histori?
Dilnin gjithmonë pak më poshtë. Pra rrinin gjithë kohën poshtë dhe nuk hynte në fuqi asnjëherë 50%, sepse 50% hynte në fuqi kur kompania të kishte rikuperuar të gjitha paratë për investimet që ka bërë në vendburimin e Patos-Marinzës.
Çfarë ndodhi? U bë gjithë ajo zallamahi, u arrestuan njerëz, të cilët tashmë janë liruar”- tha Tomorri.














