Një sherr që ka degraduar në përplasje fizike është regjistruar këtë të shtunë, në burgun e Durrësit.
Sipas JOQ, sherri ka nisur fillimisht mes tre të dënuarve me debate dhe ofendime verbale, për të përfunduar më pas në dhunë fizike.
Në sherr janë përfshirë tre persona. Bëhet fjalë për Glerad Berdica alias Gusholli dhe Kledi Çyrbja, të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj ish-presidentit të klubit Korabi, Fehmi Mëziun, i dënuar për prostitucion.
Ndërhyrja e policisë së burgjeve ka bërë të mundur neutralizimin e situatës, ndërsa dy prej të përfshirëve janë vendosur në izolim. Për gjendjen shëndetësore të Mëziut nuk ka ende informacion të qartë.
Sipas po të njëjtave burime drejtoria e burgut po tenton fshehjen e ngjarjes që të mos marrë vëmendje publike. Ndërkohë deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga insitucionet.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, nga i njëjti institucion u arratis në mënyrë spektakolare Altin Ndoci, i akuzuar nga SPAK për vrasje dhe i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë.














