Një shtetas shqiptar 42-vjeçar është arrestuar në Itali pasi akuzohet për kërcënime të vazhdueshme dhe përndjekje ndaj pronarëve të një lokali pranë stacionit të trenit në qytetin Bra.
Sipas mediave të huaja, 42-vjeçari kishte qenë disa herë i ndaluar më parë dhe ishte denoncuar pasi pronarët e lokalit kishin bërë kallëzim, duke deklaruar se ai i kishte kërcënuar edhe me vdekje dhe u kishte shkaktuar frikë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit.
Për këtë arsye, Gjykata e Asti kishte vendosur një masë paraprake ndaj tij, duke i ndaluar kthimin në komunën e Bra-s dhe afrimin më pak se 1,000 metra nga viktimat. Megjithatë, ai e kishte shkelur vazhdimisht këtë urdhër, duke u rikthyer në zonë dhe duke frekuentuar sërish biznesin në fjalë.
Më 30 mars, një patrullë e njësisë Operacionale dhe Radiomobile e konstatoi edhe një herë në shkelje të masës, duke e arrestuar në flagrancë.
Pas verifikimit të arrestimit, Gjykata e Asti-t vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg. Ndërkohë, çështja mbetet në shqyrtim nga autoritetet gjyqësore, të cilat do të përcaktojnë përgjegjësinë e tij përfundimtare në procesin gjyqësor.













