Organizata “Res Publica” i është drejtuar zyrtarisht Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me një kërkesë për informacion të detajuar, lidhur me kallëzimin për kërcënim të bërë nga pronari i televizionit MCN TV, Endri Meksi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Res Publica thekson se rasti nuk mund të konsiderohet thjesht si një incident individual, pasi kërcënimet kanë ndodhur brenda ambjenteve të televizionit dhe konteksti ngre dyshime se mund të lidhet me ushtrimin e veprimtarisë mediatike.
Organizata thekson se ngjarja përbën shqetësim serioz jo vetëm për sigurinë e personit të përfshirë, por edhe për efektin që mund të ketë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Në kërkesën drejtuar Policisë së Tiranës, Res Publica kërkon informacion mbi veprimet konkrete të ndërmarra, përfshirë marrjen në pyetje të dëshmitarëve, administrimin e provave, sigurimin e pamjeve filmike, trajtimin me prioritet të rastit, si dhe referimin në prokurori.
“Qendra Res Publica i është drejtuar zyrtarisht Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me një kërkesë për informacion të detajuar lidhur me trajtimin e kallëzimit penal të paraqitur nga administratori i televizionit MCN, z. Endri Meksi, për një ngjarje të denoncuar si kërcënim i përsëritur.
Ky rast nuk mund të shihet thjesht si një incident individual, pasi ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë ambienteve të MCN, pra në një kontekst që ngre dyshime se mund të lidhet me ushtrimin e veprimtarisë mediatike. Për këtë arsye, ai ngre shqetësime serioze jo vetëm për sigurinë e personit të cenuar, por edhe për efektin frikësues që mund të prodhojë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.
Res Publica i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë informacion mbi veprimet e kryera nga policia, përfshirë marrjen në pyetje të dëshmitarëve, administrimin e provave, sigurimin e pamjeve filmike, trajtimin prioritar të rastit, referimin në prokurori dhe ndjekjen e mekanizmave të posaçëm të parashikuar nga Udhëzuesi i Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve”,- thuhet ndër të tjera në reagim.














