Nga Boldnews.al
Në Asamblenë e Partisë Socialiste të gjithë sytë ishin në dosjen që mbante në duar kryetari Edi Rama. Pas një fjalimi të gjatë, pa bosht e krye, Rama nisi të thërriste emrat e drejtuesve politik të 12 qarqeve të vendit, disa prej të cilëve ikën dhe disa të rinj buzëqeshën për postin domethënës.
Kjo Asamble rikonfirmoi si “hirushe” ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila nuk u tradhtua nga princi i saj “mavi”, Edi Rama. Takimi i rëndësishëm politik i ngjau një ballo me maska, pas të cilëve fshiheshin fytyrat që po shohin fundin politik, por u duhet të ndjekin ritualin e buzëqeshjes së tampuar.
Një tjetër goditje mori Elisa Spiropali, ministrja më jetëshkurtër e qeverisë Rama e cila tashmë po sheh rënien e saj në një kohë të shpejtë. Ajo nuk do të jetë më drejtuesja kryesore e Qarkut Tiranë. Në zgjedhjet e kaluara, Tirana u nda mes tre drejtuesve, ish-kryebashkiaku Erion Veliaj, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali. Tashmë kjo e fundit, kapi fundin…! Spiropali do të ketë degën 13, ose periferinë e Tiranës, duke i dhënë një tjetër goditje politike.
Hakmarrja ndaj saj ka qenë e pamëshirshme, si nga Rama ashtu edhe nga Belinda Balluku. Në hallin e saj më të madh në përballje me drejtësinë, Belinda Balluku u shfaq e qetë në Asamblenë e Partisë Socialiste me dosje në dorë për të treguar “seriozitetin e punës”, por edhe një lloj krenarie, që sado e shtirur të ishte e bëri efektin e saj.
Ajo do të vijojë të mbetet drejtuese politike e Qarkut Fier, por njëkohësisht edhe kanakarët e saj, ministrat e rinj Enea Karakaçi dhe Ermal Nufi do të drejtësojnë përkatësisht Shkodrën dhe Lezhën. Për Qarkun Shkodër kryebashkiaku Benet Beci do “dorëzojë detyrën” dhe largimi i tij nuk mund të lidhet vetëm me telashet me drejtësinë por si goditje se është miku i “armikes” Elisë…
Si Ministre e Jashtme Spiropali nisi të thurë plane për ngritjen e saj dhe thellimin e gropës për rivalen politike Belinda Balluku. Padyshim që “zënia e greve” mund të dukej joshëse në sytë e Sulltanit që shpesh anëtarët e qeverisë nuk i sheh si “vezirë”, por pjesë e haremit të bashkuar me eunukë besnikë.
Në përballjen Bela-Elisa, kryeministri zgjodhi Belën, madje edhe me një haraç të madh siç është edhe integrimi I vendit. Për Ballukun kishte një kërkesë për dhënie autorizimi për arrestimin e saj, por Rama vendosi veton, duke i thënë jo kujtdo, përfshi edhe faktorit ndërkombëtar, kryesisht zyrtarëve të lartë të Brukselit.
Ai jo vetëm e mbrojti duke lënë me gisht në gojë edhe SPAK-un, por njëkohësisht zhduku nga “elita drejtuese” çdo kundërshtar të saj, ose çdo rrymë që mendon se po ngjizet brenda PS-së.
Hakmarrja më e madhe është ndaj Spiropalit, personit që askush nuk mund ta kishte menduar se qoftë edhe pak sekonda nga jeta e saj do i shpenzonte kundër Ramës. Asambleja e PS-së nuk pati asgjë për të shënuar, përveç kapjes së fundit të Spiropalit dhe ringritjes së Ballukut.














