Nga Ilir Kalemaj
Çudirat në katundin tonë ballkanik nuk kanë të sosur. Sa më shumë shtohen skandalet, aq më tepër shtohet oreksi për t’i kapur krejt pushtetet.
Së fundmi, socialistët po riorganizohen që në zgjedhjet e ardhshme lokale të kapin 61 bashki. Ose të paktën kështu deklarojnë. Asnjë fjalë për be që së fundmi u certifikuam edhe si autokraci elektorale nga instituti prestigjioz ndërkombëtar V-Dem.
Ndërkohë që flitet për sukseset ndërkombëtare të bablokut, korrupsioni njohu rritje galopante duke u renditur plot 11 vende më poshtë nga organizata e mirënjohur Transparency International.
Shqipëria e Bordit të Paqes, nuk po arrin dot të mbledh Bordin e Transparencës por diskuton që kur nafta të arrijë mbi 220 lekë për litër të ulë disi akcizën më të shtrenjtë në Evropë që ka aktualisht.
Ndërkohë që për referencë qeveria spanjolle e homologut socialist Sancez e uli direkt taksën për karburantet nga 21 në 10 për qind, ne të Bordit të Paqes, vendosëm edhe dy taksa të tjera, duke zbuluar një formulë të re alkimike që po shtove taksat do të ulet çmimi.
Sepse dhe për rezervat e naftës u kujtuan tani ndërkohë që Japonia ka gati një vit rezerva, ndonëse nuk ka fare burime vendase dhe është e varur si askush nga Ngushtica e Hormuzit. Por dordomuzët tanë nuk kanë sy për Qabe.
Nga ana tjetër kemi peshë shumë ta lartë të investimeve publike por nuk sjellin as zhvillim të qëndrueshëm, as rritje ekonomike dhe larg qoftë shpërndarje të drejtë të të ardhurave apo përfitime proporcionale për popullatën. Vetëm çuditërisht pasurojnë firmëtarët që nuk i’u hyn as gjembi në këmbë. Madje mbrohen politikisht kur drejtësia megjithë kusuret e saj kërkon llogaridhënie.
Deklarohen prioritete kombëtare si turizmi apo bujqësia, por në rastin e parë është prodhuar betonizim i pafre, i pakontrolluar dhe i pakthyeshëm duke marrë në këmbim turizëm me pak vlerë të shtuar dhe pa garanci afatgjata dhe në rastin e dytë edhe më keq, ku bujqësia shqiptare e privuar dhe nga fondet e IPARD që u zhdukën nga Hudinët shqiptarë është katandisur në grahmat e fundit të jetës.
Ndërtimi si e vetmja lokomotivë e mbetur furnizohet rregullisht nga paraja informale dhe ajo kriminale, burim i martesës së narkotrafikut, pastrimit masiv të parasë nga zyrtarë të korruptuar dhe mbështetjes së verbër politike, duke na kthyer dhe në burim shqetësimi të vazhdueshëm për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Investimet në arsim dhe shëndetësi sa vijnë dhe treten e matur në terma të përqindjes mbi prodhimin e përgjithshëm bruto, ose shkojnë në duar klienteliste, ndërkohë që jemi fare të munguar në hartën e shkencës dhe inovacionit.
Digjitalizimi që shitet si sukses përmes fasadës së Diellës, nuk mbulon as vulnerabilitetin e jashtëzakonshëm ndaj sulmeve kibernetike që kemi, as faktin që të dhënat e shqiptarëve po shiten hapur në dark web ofruesit më të parë, as nuk kanë sjellë reduktimin e administratës publike. Ndërkohë që në dy dekada kemi të njëjtin numër në administratën publike, rreth 190 mijë, ndërkohë që jemi rrudhur me rreth 700 mijë banorë sipas statistikave zyrtare (në të vërtetë jemi rrudhur më tepër po t’i kryqëzojmë të dhënat me Eurostat dhe burimet e tjera më të besueshme se INSTATi qeveritar). Ndërkohë që popullsia bie me një të katërtën e saj ne shtojmë numrin e administratës, duke bërë që raporti banorë për punonjës shteti të jetë 13 me 1, duke pasur ndër sektorët publikë më të fryrë në Evropë.
Paradokset duket se nuk kanë të sosur në këtë vend të mrekullive të shpeshta ku lideri i gjatë njëherë zbulon hidrogjen në Bulqizë, e mandej naftë në Shpirag dhe së fundmi edhe minerale të rralla në Bilisht. Të cilat na bëjnë të ëndërrojmë me sy hapur ngjashëm me ëndrrën e shtetit Bektashi në këtë ditë të shënuar të Sulltan Novruzit por që treten si kripa në ujë në vend që të prodhojnë alkiminë e shndërrimit të metaleve në ar.
Në fakt më shumë shërbejnë për t’u vetësugjestionuar lider suprem që ka gjetur eliksirin e pushtetit të përjetshëm se sikundër tha dhe ministresha e tij më jetëgjatë të gjithë jemi kalimtar përveç Atij.
Ndaj dhe protesta e ditës simbolike të 22 marsit për demokracinë dhe demokratët është më shumë se kurrë e nevojshme që t’i shkundë këto iluzione të mbrapshta dhe ta rikthejë në shinat e realitetit.














