Ish-deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se do të kandidojë në garën për kryetar të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e përcaktuara më 23 maj.
Salianji u shpreh se do të marrë pjesë në garë, por ngriti shqetësime për mënyrën se si po organizohet procesi brenda partisë.
“Po, do të jem në garën për kryetar të PD, pavarësisht se është përcaktuar data e zgjedhjeve që është 23 maj, por PD nuk ka përcaktuar siç duhet procesin, sepse ka një parim ku dalin listat e votuesve, rregullat për garuesit dhe kushtet e barabarta të garës, siç bëhet në zgjedhjet e përgjithshme”, u shpreh ai në emisionin “Kjo Javë” në News24.
Salianji theksoi nevojën që gara për drejtimin e Partisë Demokratike të zhvillohet mbi standarde të qarta dhe të barabarta për të gjithë kandidatët, në mënyrë që procesi të jetë i besueshëm dhe transparent.
Salianji u shpreh se neni 46, pika 8 e Statutit të PD-së përcakton qartë se një kryetar që humbet zgjedhjet nuk mundet të rikandidojë.
Sipas tij, kjo dispozitë lidhet drejtpërdrejt me situatën aktuale në parti, duke iu referuar kreut aktual Sali Berisha, i cili drejtoi Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit 2025, ku PD doli humbëse.














