Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i shoqëruar nga inspektorë dhe anëtarë të stafit të ILD-së, ka zhvilluar këtë të mërkurë, takime me nxënës dhe mësues të shkollave “Nonda Bulka” në Përmet dhe “Kamber Bënja” në Këlcyrë.
Takimet janë zhvilluar në kuadër të strategjisë së komunikimit publik të institucionit për promovimin e edukimit ligjor. Këto takime, synojnë forcimin e ndërveprimit të ILD-së me komunitetin, përmes kontakteve të drejtpërdrejta me grupe të ndryshme shoqërore në të gjithë vendin.
Gjatë komunikimit me nxënësit, si edhe me trupën arsimore të të dyja shkollave, Metani, theksoi rëndësinë e edukimit ligjor të brezit të ri, si një mënyrë për formimin e qytetarëve të informuar dhe për rritjen e besimit të publikut te drejtësia, ndërsa shtoi se ndërveprime të tilla me institucione të drejtësisë duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.














