Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me deputetin gjerman Peter Beyer, ku në qendër të bisedës ishte situata politike në Shqipëri dhe procesi i integrimit europian të vendit.
Pas takimit, Berisha deklaroi se e kishte informuar Beyer mbi qëndrimet e opozitës lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Ai theksoi se opozita mbetet e vendosur në mbështetje të projektit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si projektin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi.
Faleminderit shumë dhe njëherë zoti Beyer për të gjithë mbështetjen dhe interesin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Ndërkohë Beyer u shpreh se në bisedë me kryedemokratik është folur mbi procesin e integrimit të vendit.














