SPAK ka identifikuar edhe 5 persona të tjerë si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, që lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
SPAK ka firmosur masa arresti për 5 persona, nga të cilët janë ekzekutuar 3, ndërsa 2 janë ende në kërkim.
Konkretisht, janë arrestuar Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola, ndërsa në kërkim janë shpallur Kevin (Arjan) Margjoni, Durim Keçi. Ata dyshohen për trafikim të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Bëhet fjalë për një fraksion të dosjes së laboratorit të drogës në Frakull, për të cilën SPAK thotë se deri tani janë identifikuar 15 persona të dyshuar si të përfshirë.
Kujtojmë se për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe kolumbiani Samir Rosales Rodriguez.
Gjithashtu mësohet se janë kryer kontrolle edhe në disa banesa, automjete ndaj personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Si pasojë janë sekuestruar katër automjete dhe dy telefona, konkretisht:
- 1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
- 1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
- 1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
- 1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
- 2 aparate celularë.
“Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.
Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.
Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.
Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.”- njofton SPAK.
SPAK njofton se hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale













