Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat nga selia blu, ka reaguar për gjuhën e përdorur një ditë më parë nga Taulant Balla ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.
Berisha e akuzoi Ballën për lidhje me krimin dhe e cilësoi atë si pjesë të një organizate kriminale, që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
“Taulant Balla përbën një nga kriminelët më të shpërfytyruar, anëtar i organizatës kriminale të Edi Ramës”, u shpreh Berisha, duke shtuar se ai e ka denoncuar prej kohësh për veprimtari kriminale.
Sipas Berishës, Balla është përmendur në denoncime të ndryshme për lidhje me trafik prostitucioni dhe me elementë të krimit të organizuar, duke pretenduar se për këto raste ekzistojnë edhe materiale në dosje gjyqësore.
Kreu i PD ngriti gjithashtu akuza se Balla ka pasur lidhje me persona të përfshirë në veprimtari kriminale në Elbasan dhe se ka ndërhyrë në raste të ndryshme që lidhen me hetime apo lirime personash të dyshuar.
‘Taulant Balla përbën një nga kriminelët më të shpërfytyruar, një nga anëtarët më kryesorë të organizatës kriminale të Edi Ramës. Taulant Balla siç e kam denoncuar shumë e shumë herë, ish student është denoncuar nga organet zyrtare diplomatike të Shqipërisë si trafikant prostitutash.
Ju jeni dëshmitarë se që në atë kohë unë kam denoncuar publikisht veprimtarinë kriminale me prostituta moldave të sjella nga Edi Rama tek eksponentë të PS-së. Kam denoncuar asokohe dhe lokalet ku ata frekuentonin. Fatos Nano ka marrë informacion të qartë për ndalimin e tij në kufi nga shtet mike, si transportues prostitutash.
Ai është krimineli që ka liruar bashkë me Vath Stakën dy terroristët që i vendosën Lulzim Kullës tritolin nën shalën e biçikletës, kjo është në dosje. Urdhërohet nga Suel Çela që bashkë me Vath Stakën të lirojnë terroristët që vendosën tritol dhe ata u liruan.
Taulant Balla është krimineli i cili është i dokumentuar duke biseduar me Mario Çelën, vëllanë e Suel Çelës, ku ankohet për Sali Berishën dhe e nxit kundër meje.
Ai është krimineli që po bën çdo përpjekje të lirojë vëllanë e Suel Çelës, po bën përpjekje për ta nxjerrë. Ai është krimineli që u mor me lirimin e automjeteve me të cilat u sollën 5 milion euro për kartelin e drogë Çela. Ai është krimineli që në biseda me Mario Çelën zotohet se do arrestojë kundërshtarët e grupit Çela që ata të garantojnë votat”, u shpreh ai.














