Një plagosje e rëndë me thikë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Librazhd, ku një 46-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga është vënë autori i dyshuar, shtetasi H.D., 75 vjeç, banues në Librazhd, i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më 4 mars 2026, rreth orës 20:20, pranë urës së qytetit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 75-vjeçari ka goditur me thikë shtetasin S.M., 46 vjeç. I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka arrestuar edhe A.H., 48 vjeç, i cili dyshohet se ka fshehur mjetin prerës të përdorur në plagosje dhe nuk ka njoftuar autoritetet për krimin.
Ndërkohë, ka nisur procedimi penal edhe për bashkëshorten e tij, E.H., 44 vjeçe, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar për të fshehur thikën, si dhe për vetë të dëmtuarin S.M., pasi sipas policisë ka refuzuar të japë informacion mbi rrethanat e ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.














