Tre përgjegjës të sektorit të Mirëmbajtjes në Drejtorinë e Shërbimeve Komunitare në Gjirokastër janë arrestuar nga Policia, pas një aksidenti në punë ku një punonjës 55-vjeç dyshohet se ka rënë nga kati i dytë i një objekti gjatë pastrimit.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë P. Ç., 46 vjeç, A. B., 61 vjeç dhe A. L., 58 vjeç, të tre banues në Gjirokastër dhe me detyrë “Përgjegjës” në Sektorin e Mirëmbajtjes. Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare, Adriatik Onjea, është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi nuk është paraqitur për të dhënë shpjegime dhe për të vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e plotë të rastit.
Ngjarja ndodhi më 3 mars 2026, rreth orës 13:30, në lagjen “Zinxhira”.
Gjatë punës për pastrimin e një objekti, punonjësi 55-vjeç dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia, duke pësuar dëmtime ndërsa aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
LEXO EDHE:
Gjirokastër/ Punonjësi i shërbimeve publike bie nga lartësia, niset drejt Tiranës në gjendje kritike














