Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë së Tulln-it, Peter Eisenschenk, ku u diskutua mundësia e vendosjes së një partneriteti mes këtij qyteti austriak dhe Përmetit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Velaj theksoi se Tulln njihet si “Qyteti i Luleve”, për shkak të panairit të njohur të luleve që organizohet aty, ndërsa edhe Përmeti mban të njëjtin epitet në Shqipëri.
“Sot zhvillova një takim me Peter Eisenschenk, kryetar i bashkisë së Tulln-it, i njohur ndryshe si “Qyteti i Luleve”, pasi këtu zhvillohet edhe panairi i famshëm i luleve.
Me të diskutova mbi mundësinë e një partneriteti me Përmetin, që edhe tek ne njihet si “Qyteti i Luleve”.
Dy qytetet tona i bashkojnë jo vetëm lulet, por edhe lumenjtë: Tullnin e përshkon Danubi, ndërsa Përmetin Vjosa.”, shkruan Fate Velaj.
















