Një operacion i papritur është zhvilluar në burgun e Domokos nga oficerët grekë.
Sipas burimeve, mes qelive të kontrolluara ishin edhe ato të të dënuarit shqiptar Alket Rizaj, si dhe të një tjetër të dënuari shqiptar të njohur me nofkën “Sandri”.
Ky i fundit konsiderohet organizatori kryesor i transportit të 1.2 ton kokainë në Astakos, në rajonin e Aitoloakarnanisë, nga Karaibet në janar 2020.
Gjatë kontrollit, oficerët sekuestruan telefona celularë, karikues dhe thika, pavarësisht se vetëm 24 orë më parë ishte kryer një tjetër operacion në të njëjtin burg, ku u kontrolluan 17 qeli.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se operacionet do të vijojnë në të gjitha burgjet e vendit, me synim ndalimin e futjes së armëve, lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të ndaluara.
Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për vrasjen e një të dënuari të rrezikshëm, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda ish-Burgut Qendror.
Deri tani është arrestuar i dënuari që dyshohet se ka kryer të shtënat, si edhe drejtori i burgut.
Nuk përjashtohet lëshimi i urdhër-arresteve të tjera teksa hetimet janë në zhvillim.
Raportimet bëjnë të ditur se Alket Rizaj dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por ai e ka mohuar këtë.














