Biznesmeni shqiptar i kompanisë “Porcelanosa”, Nikolin Janina është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Pontevedrës në Spanjë, ku akuzohej për trafik të lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për 54 kilogramë heroinë të zbuluara në mars të vitit 2016 në zonën e Lérez, të fshehura në një vendstrehim të sofistikuar brenda një automjeti tip “Porsche Cayenne”.
Sipas mediave të huaja, për këtë çështje ishin dhënë më herët tre pafajësi për persona të tjerë, ndërsa me vendimin e fundit gjykata rrëzoi edhe akuzat ndaj Janinës.
Prokuroria kishte kërkuar tetë vite burg për biznesmenin, i cili u arrestua në vitin 2022 në Tiranë nga Interpol, me kërkesë të autoriteteve spanjolle. Sipas akuzës, survejimet dhe ndjekjet e kryera në Malaga, Barcelonë dhe Baiona, si dhe mesazhet e gjetura në telefonin e tij Blackberry, provonin përfshirjen e tij në organizimin e transportit të drogës.
Në dosje përmendeshin edhe takimet e tij me drejtuesin e mjetit ku u gjet droga dhe me personin që do të merrte ngarkesën në jug të provincës së Pontevedrës, të cilët janë dënuar për këto fakte.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se provat nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tij përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Gjatë procesit, Janina mohoi çdo përfshirje në trafikun e drogës, duke deklaruar se udhëtimet e tij në Spanjë kishin qenë për arsye biznesi në fushën e materialeve të ndërtimit dhe për aktivitete private.
Ai kundërshtoi gjithashtu vlefshmërinë e mesazheve të paraqitura nga prokuroria, duke theksuar se nuk ishte provuar se komunikimet e hetuara i përkisnin atij.
“Unë kurrë nuk jam marrë me çështje droge dhe kurrë në praninë time nuk është folur për drogë”, deklaroi biznesmeni shqiptar në gjykatë.
Pas pretendimeve të Janinës, gjykata e shpalli të pafajshëm, pasi sipas mediave të huaja, nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor biznesmenin shqiptar.
LEXO EDHE:














