Nga Boldnews.al
Prej më shumë se dy ditësh, qarkullimi i automjeteve nga Jug-lindja në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas është bllokuar tërësisht, për shkak të shkatërrimit të rrugëve në ndërtim në zonën Librazhd-Prrenjas.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi fillimisht se shkak i rrëshqitjes së tokës është mbingopja e malit me ujë. Më pas, ai dha një variant të dyfishtë, duke deklaruar se problemi është uji që vjen nga poshtë, nga lumi Shkumbin dhe ngjitet lart, tek kantieri i ndërtimit të një prej akseve të rrugës Elbasa-Prrenjas.
Përtej justifikimeve groteske, situata në terren është skandaloze dhe, gjatë të Hënës (23 shkurt 2026) në këtë aks rrugor u ndalua jo vetëm qarkullimi i mjeteve, por edhe i këmbësorëve, për shkak të rrezikshmërisë shumë të lartë.

Ajo që po ndodh në Librazhd nuk duket se është pasojë e kushteve të motit, se sa e tenderave të dyshimtë dhjetra miliona euro. Rasti i rrugës Librazhd-Prrenjas, në mënyrë ironike, përmbush më së miri kriteret e një shprehje të vjetër: “Populli meriton qeverinë që ka”.
Zonat më të prekura nga shkatërrimi i rrugës dhe bllokimi i qarkullimit janë njësitë administrative Hotolisht e Qendër në Librazhd, Prrenjasi dhe Maliqi në Korçë.
“Boldnews.al” kreu një verifikim mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025 në këto zona. Të dhënat dëshmojnë se Partia Socialiste në pushtet, jo vetëm ka marrë më shumë vota, por edhe diferenca është shumë e madhe me opozitën.
Hotolisht
Në Hotolisht, zona më e prekur nga shkatërrimi i rrugës, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka marrë 61.54 përqind të votave.

E përkthyer në shifra konkrete, kandidatët socialistë kanë marrë 1445 vota, ndërsa opozita ka marrë 684 vota.
Qendër-Librazhd
Njësia administrative Qendër-Librazhd përfshin edhe Dragostunjën, vendi në të cilën gjendet një urë në ndërtim, që po thërrmohet me shpejtësi.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, socialistët e Edi Ramës kanë marrë në këtë zonë 68.22 përqind të votave ose në shifra konkrete, 2402 vota, përballë 783 të Partisë Demokratike.
Prrenjasi
Bashkia e Prrenjasit tashmë është e izoluar plotësisht, pas rrënimit të rrugës në Librazhd.

Në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, aty u shënuan një rekord i rëndësishëm rilindas, me 66.68 përqind të votave.
Maliqi
Edhe Maliqi nuk ishte aspak i kursyer me vota për Partinë Socialiste në pushtet. Në zgjedhjet parlamentare, ata votuan në favor të qeverisë në nivelin 55.74 përqind.

Pas këtyre rezultateve, banorët e Maliqit dhe të Korçës, tashmë mund të jenë të nderuar që po u shkon në qytet kryeministri Rama, me helikopter.














