Komisioni Europian ka kërkuar qartësi nga Shtetet e Bashkuara pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi detyrimet doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump, duke argumentuar se ai kishte tejkaluar kompetencat pa miratimin e Kongresit.
Në një deklaratë zyrtare, Komisioni thekson se situata e krijuar nuk është e favorshme për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes palëve në kuadër të Deklaratës së Përbashkët BE–SHBA të gushtit 2025.
“Situata aktuale nuk është e favorshme për arritjen e tregtisë dhe investimeve transatlantike ‘të drejta, të balancuara dhe reciprokisht të dobishme’, siç është rënë dakord nga të dyja palët”, thuhet në reagim.
Komisioni nënvizon se do të mbrojë interesat e Bashkimit Europian dhe se kompanitë dhe eksportuesit europianë duhet të kenë trajtim të drejtë, parashikueshmëri dhe siguri ligjore.
“Një marrëveshje është një marrëveshje. Si partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, BE-ja pret që SHBA-të të respektojnë angazhimet e marra”, theksohet në deklaratë.














