Qarkullimi i automjeteve në autostradën Tiranë–Durrës paraqitet i rënduar mëngjesin e kësaj të shtune, duke shkaktuar vonesa për drejtuesit e mjeteve.
Radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje e ngadaltë e trafikut janë krijuar që në zonën e mbikalimit pranë Casa Italia-s dhe deri te mbikalimi i terminalit.
Sipas pamjeve fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë bllokim të pjesshëm të segmentit, duke e kthyer një nga akset kryesore të vendit në një nyje problematike për qarkullimin.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi shkaqet konkrete të situatës, por kjo nuk është hera e parë që ky segment përballet me kaos të ngjashëm.
Autostrada Tiranë–Durrës, e konsideruar si arteria kryesore që lidh kryeqytetin me bregdetin dhe portin më të madh në vend, vijon të mbetet një pikë e dobët e infrastrukturës rrugore.
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për zgjerim, menaxhim më të mirë të trafikut dhe investime në nyjet hyrëse-dalëse, situata në terren shpesh tregon mungesë planifikimi dhe koordinimi institucional.
Shtimi i ndërtimeve dhe bizneseve përgjatë aksit, pa një rikonceptim të plotë të infrastrukturës rrugore, ka përkeqësuar gjithashtu situatën.
Kaosi i përsëritur në këtë aks shihet si pasojë e dështimit për të garantuar një sistem funksional qarkullimi në një nga rrugët më të rëndësishme të vendit.














