Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën në protestën që po mbahet këtë pasdite te Kryeministria.
Tabaku, ka deklaruar se Shqipëria sot ndodhet sipas saj në sundimin e një autokrati, ndërsa ka akuzuar Edi Ramën se ka ndërtuar një sistem që, sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar në kurriz të qytetarëve.
Sipas Tabakut, sistemi është i dhunshëm dhe i korruptuar, ndërsa shtoi se pasojat, sipas saj, janë dramatike për ekonominë dhe shtresat në nevojë.
“Sot jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës zëvendësohet sot me dhunën e korrupsionit, diktaturën e korrupsionit. Është ideologjia e regjimit sot që ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve dhe ofron mundësi për krimin. Industria dhe bujqësia janë në falimentim. Çdo i varfër e pensionist e di të vërtetën. Sot të korruptuarit bëjnë ligje që të mbrojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve. Familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, shtresa e mesme po shtypet, taksat po shtohen, ndërsa ata lart ushqehen me privilegje që nuk u kthehen qytetarëve,” shtoi ajo.














