Nga Boldnews.al
Gëzimi për riardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më shumë shpërtheu në “shtëpinë e demokratëve” në Shqipëri, sesa nga vetë votuesit amerikanë. Shpresa rilindi për krerët dhe anëtarësinë e PD-së, duke krijuar skenarë në kokat e trashura nga logjika, se Rilindja e Ramës do të binte nga goditja e Bjontit tej Atlantikut, që sipas tyre, e kishte Ramën në listën e tij për ta ngrënë si një kafshatë mëngjesi.
Me këtë iluzion tentuan të krijojnë frymë tek demokratët e zhgënjyer në pafundësi nga humbjet radhazi dhe qëndrimit në vendnumëro të stoikëve në krye të PD-së. Për një moment menduan se “alleatët” do të zbarkonin në Shqipëri për të përmbysur “Ramaduron” kur SHBA rrëmbeu në Venezuelë presidentin Nikolas Maduro. Në një kohë disi të largët risollën nën haluçinacione ngjarjet me hedhjen e ndonjë “diversanti” në malet e Shqipërisë në vitet 50-60’ me qëllim përmbysjen e sistemit komunist, por që të gjithë kapeshin nga “sypetritët” e popullit me traktoristin Ibrahim apo brigadieren Lenka me njësitin e fshatit.
Edhe ky variant ra. Kur prisnin “helikopterët Delta” në Surrel, në Aeroportin e Rinasit mbërriti me “Deltat” e saj Ivanka Trump, për interes tërësisht personal në biznesin e ndërtimeve në Ishullin e Sazanit dhe Zvërnec. U prit nga “Ramaduro” me nderime, ndërsa ai i vendosi në pëllëmbë të dorës gjithçka i shihte syri në bregdetin e Jugut. Opozita nuk bëri zë, as për interes publik në faljen e pronave publike, vetëm se ajo ishte bija e Trump, njeriut që do rrëzojë Ramën.
Narrativa se Rama do të bjerë nga ftohja që ka me SHBA-të ngrihet e bie sërish e sërish, herë pas here. Euforia deri në ekstazë e drejtuesve të partisë më të madhe opozitare digjet po nga molotovët e saj. Gjithnjë me sytë nga bjondi i fuqishëm që edhe kur përmend ndodonjëherë Shqipërinë e ngatërron me Armeninë, demokratët nuk po arrijnë të kuptojnë thelbin e sjelljes së vendeve të mëdha me “shtet-fshatra” si Shqipëria. Trump ka të njëjtën qasje si administrata e mëparshme Biden, vetëm forma, mënyra dhe sjellja janë të ndryshme për vende si Shqipëria e mbetur me dy milionë banorë ku 50 % të tyre janë në varfëri apo prag varfërie skstreme.
PD ka humbur edhe kujtesën. Në vitin 1991 James Baker vizitoi Shqipërinë ku me dhjetëra mijëra shqiptarë të ekzaltuar pritën Sekretarin Amerikan të Shtetit, duke e parë si shpëtimtarin e tyre, pa e kuptuar se regjimin e kishin rrëzuar vetë ata. 35 vite më pas, i vetmi në podium në atë kohë është edhe në ditët e sotme, po me sytë nga SHBA, ndonëse është më i ndërgjeshmi ndër të gjithë se bjonti i tanishëm dhe i thinjuri i mëparshëm që ndërruan vendet në Shtëpinë e Bardhë, kanë të njëjtën sjellje me Shqipërinë.
PD-ja nga e njëjta sjellje pret rezultate të ndryshme dhe kjo siç e ka thënë Ajnshtajni është budallallëk.
Ëndrra me “alleatët” që do sjellin lirinë pritet të zgjasë edhe ca, deri nga mesi i pranverës ku vetë PD do kalojë në zgjedhje. Deri atëherë gjethi ka dalë, mbështetësit do pësojnë zhgënjimin e radhës ndërsa bjonti që do rrëzojë “Ramaduron” do gjejë arsye për tu kënaqur me jargavitjen e 47 liderëve të “Bordit të Paqes”, ku padyshim mes tyre shkelqente dhe kllouni 1.98 centimetra që ka 13 vite që gajas bak-kokëboshët që herë pezmatohen e herë lumturohen nga “alleatët”.














