Rajmonda është një zonjë, që denoncon një problem me regjistrimin e pronës në Borsh pranë Kadastrës së Sarandës.
Gjyshi dhe i vëllai përfituan nga kthimi i pronave një sipërfaqe prej 1000 m², të ndarë me nga 500 m² për secilin dhe më pas të trashëguar nga familjarët përkatës.
Pjesa e tezes së Rajmondës iu dhurua Gazmend Hajdinit, ndërsa pjesa e nënës së saj, iu shit vetë Rajmondës. Pas këtyre veprimeve, parcela 1000 m² u regjistrua me emrat e Gazmend Hajdinit dhe Rajmondës.
Më vonë, trashëgimtarët përfituan edhe një parcelë tjetër prej 680 m².
Por, në mënyrë të çuditshme, edhe kjo pasuri e dytë u regjistrua me të njejtët emra, Gazmend Hajdini dhe Rajmonda, megjithëse kontrata e shitjes dhe ajo e dhurimit i përkisnin vetëm parcelës së parë 1000 m².
Sipas shpjegimit të dhënë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, janë marrë për bazë pikërisht këto kontrata për regjistrimin edhe të parcelës 680 m².
Ndërkohë, eksperti Fatmir Laçej thekson, se një transaksion ka vlerë vetëm për pasurinë me numrin dhe sipërfaqen përkatëse dhe nuk mund të shtrihet automatikisht në një parcelë tjetër.
Si pasojë e këtij regjistrimi, Rajmonda nuk mund të kryejë çeljen e trashëgimisë dhe regjistrimin e testamenteve të nënës dhe tezes për parcelën 680 m².
Avokati Klaudi Zholi e konsideron regjistrimin të paligjshëm dhe kërkon korrigjimin e tij, në mënyrë, që prona t’u kalojë trashëgimtarëve, që u takon me ligj. /Tv Klan/














