118 deputetë kanë bërë betimin në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke shënuar nisjen e legjislaturës së dhjetë.
Seanca nisi me verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj, proces që u miratua me votat e 118 ligjvënësve të pranishëm në sallë. Pas këtij hapi, deputetët vijuan me procedurat e betimit dhe pikat e tjera të rendit të ditës.
Legjislatura e re do të përbëhet nga 120 deputetë. Prej tyre, 100 mandate u takojnë partive shqiptare, ndërsa 20 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.
Ndërkohë Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo mori 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime.
Në fjalën e saj para deputetëve, Haxhiu tha se do ta ushtrojë detyrën me përgjegjësi, transparencë dhe përkushtim. Ajo u shpreh gjithashtu se pret që ish-krerët e UÇK-së të rikthehen sa më parë në vend dhe që proceset ndaj tyre të marrin fund.
Ndryshe nga legjislatura e kaluar, kur dështoi të zgjidhej pas disa seancave të gjata, këtë herë Haxhiu mori shumicën e nevojshme që në raundin e parë të votimit.
Sipas rezultateve zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 ulëse në Kuvend.













