Dhomat Vendore të Avokatisë në Vlorë dhe Fier kanë reaguar pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani, duke e cilësuar ngjarjen të papranueshme dhe duke kërkuar zbardhjen e shpejtë të saj.
Në një deklaratë publike, Dhoma e Avokatisë Vlorë shprehu shqetësim për aktet e dhunës, duke theksuar se cenimi i sigurisë së profesionistëve dhe qytetarëve është i patolerueshëm.
“Dhomë Vendore e Avokatisë Vlorë shpreh shqetësimin e saj të thellë për çdo akt dhune që cenon integritetin dhe sigurinë e profesionistëve dhe qytetarët të saj. Është e patolerushme që në qytetin e Vlorës ka raste të përditshme të ushtrimit të dhunës ndaj profesionistëve por edhe ndaj qytetarëve të saj.
Dhuna, pavarësisht autorit apo motivit, është gjithmonë e papranueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të një shoqërie të drejtë dhe të qytetëruar. Dhuna nuk është kurrë një mjet për të zgjidhur mosmarrëveshje dhe duhet të dënohet fuqishëm nga institucionet përgjegjëse. Dhomë Vendore e Avokatisë Vlorë fton autoritetet përkatëse që të veprojnë sipas ligjit, duke garantuar jo vetëm drejtësinë për rastet e dhunës, por edhe sigurinë e të gjithë profesionistëve dhe qytetarëve.
Ne ripërsërisim se shoqëria jonë ka nevojë për dialog, respekt dhe zbatim të ligjit si mjet për të zgjidhur çdo konflikt. Dhuna, kudo dhe nga kushdo qoftë, nuk ka vend në shoqërinë tonë” thuhet në deklaratën e Dhomës Vendore të Avokatisë në Vlorë.
Edhe Dhoma e Avokatisë Fier bëri thirrje që autorët të identifikohen sa më shpejt dhe rasti të sqarohet plotësisht për opinionin publik.
“Urojmë që situata në fjalë të mos ketë lidhje me profesionin e avokatit dhe apelojmë Policinë e Vlorës që brenda orëve në vijim të vërë përpara përgjegjësisë autorët dhe të sqarojë opinionin publik.
Dhuna nuk duhet të mbetet e pandëshkuar, sepse kur ndodh ndaj një avokati me profil të lartë publik, qytetarët ndjehen akoma më të kërcënuar” thuhet në komunikatën për shtyp.
Avokati Cakrani ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, në repartin e kirurgjisë, ku po merr trajtim mjekësor. Sipas burimeve spitalore, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi në një pikë karburanti në Vlorë. Sipas deklarimit të vetë avokatit, ai është provokuar fillimisht nga dy të rinj dhe më pas është goditur nga pas me mjet prerës. Ai ka mohuar të ketë pasur konflikte të mëparshme me ta.














