Henrik Hoxha, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, i cili fillimisht kishte statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por që më pas iu hoq nga SPAK, ka vijuar me dëshminë e tij në GJKKO për krimet e kryera.
Këtë të enjte, Hoxha ka rrëfyer se kishte në plan të vriste Ismet Boriçin, teksa ka treguar se konfliktet fillestare lidhen me një shok të fëmijërisë, Viron Kallanxhiun, i cili kishte pasur probleme të hershme me vëllezërit Boriçi.
Ai rrëfeu se në vitin 2004 është plagosur me tre plumba, duke dyshuar se pas ngjarjes qëndronte Ismet Boriçi, për shkak të historisë së mëparshme mes këtij të fundit dhe Vironit.
“U krijua një situatë pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta, por më qëlloi. Ika me vrap dhe më morën,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas kësaj ngjarjeje vendosi të merrte hak.
Ai pranoi para trupit gjykues se qëllimi i tij ishte vrasja e Ismet Boriçit. “Doja ta mbaroja punë me të, ta vrisja,” u shpreh hapur Hoxhaj gjatë dëshmisë.
Sipas tij, në vitin 2018, së bashku me një person të quajtur Skerdi, organizuan një atentat ndaj Boriçit. Për këtë qëllim, ai tha se kishin siguruar një automjet Renault të vjedhur, armë zjarri, përfshirë një pistoletë Glock dhe një armë automatike, si dhe targa greke për të mos u identifikuar.
Hoxhaj rrëfeu se disa herë gjatë ditës patrullonin rreth pronës së Boriçit për ta vëzhguar. Në momentin e sulmit, sipas tij, Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua, ndërsa ai vetë qëlloi nga timoni me pistoletë. Megjithatë, për shkak të xhamave të zinj të makinës, plumbat u ndalën dhe vëllezërit Boriçi pësuan vetëm gërvishtje të lehta.
“Ata na pikasën për shkak të xhamave të zinj dhe targave të huaja,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas të shtënave, objektivat u futën në lokal dhe më pas në banesë, ndërsa ata nuk dolën nga makina.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj theksoi se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e atentatit dhe se ai nuk kishte komunikuar me të për këtë ngjarje. Ai gjithashtu deklaroi se disa persona të përmendur në proces, si Renato Çami, i njeh vetëm si emra dhe jo personalisht.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj përshkroi edhe vendndodhjen e ngjarjes, pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku ndodhej edhe banesa e familjes Boriçi.













