Një 53-vjeçar është arrestuar dhe djali i tij 26-vjeçar është proceduar penalisht, pasi dyshohen si të përfshirë në kontrabandë të medikamenteve mjekësore dhe celularëve nga Italia drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, 53-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar me automjet medikamente dhe mallra të dyshuara të kontrabanduara.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar medikamentet dhe sendet e tjera të dyshuara si objekt i kontrabandës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Vlorë, si rezultat i kontrolleve intensive dhe i verifikimeve të kryera në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të tregtimit të mallrave të kontrabanduara.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua shtetasi P. Ç., 53 vjeç dhe nisi procedimi penal për djalin e tij, shtetasin D. Ç., 26 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Shtetasi P. Ç. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, mbrëmjen e djeshme, duke transportuar me automjet, mallra (medikamente mjekësore dhe celularë) të dyshuara të kontrabanduara nga Italia. “, njofton policia.














