Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “A Krasta Show” në Syri TV, ka analizuar situatën politike në vend, duke theksuar se fundi i qeverisë nuk mund të matet me orë apo ditë, por është një proces i gjatë i mbushur me pengesa politike dhe institucionale.
Sipas tij, retorika për “fundin e afërt” të qeverisë është përdorur shpesh, duke krijuar pritshmëri të larta te qytetarët, të cilat më pas janë kthyer në zhgënjim.
Ai shtoi se deklaratat për rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë janë konsumuar shpesh dhe kanë humbur efektin e tyre.
Mentor Kikia: Pa pyetur shkohet për një orë me këmbë, me vrap, me makinë, me avion. Ndërkohë që këtë distancën për të shkuar tek fundi i qeverisë, po e masim me kilometra. Jo me kohë, që kësaj qeverie i duhet edhe dy muaj dhe të bjerë apo edhe tre muaj edhe po një vit.
Është metaforë, por pyetja prapë pas saj që pason është për sa kohë do ta bëjmë këtë kilometrin? Se nëse ecim shpejt, e bëjmë për dy muaj. Nëse ecim dalëngadalë, ka pengesa, gropa, ferra që duhen shkulur, mund të na zgjasë një vit e më shumë.
S’e kam dot një përgjigje për këtë, sepse kam përshtypjen që ai deadlajni që ka vënë zoti Berisha, edhe pse jo kohor, por figurativ, më shumë më duket një përpjekje për të mbajtur gjallë frymëzimin e njerëzve që e duan këtë gjënë, për t’i thënë që o burra dhe pak se ja e rrëzuam, ja edhe pak, pasi për hir të vërtetës, është abuzuar pak me fundin e qeverisë. Pritshmëritë janë ngritur menjëherë, shumë lart, ka shkuar në pikën fundore. Organizohet një protestë, deklarohej që kjo do shënojë fillimin e fundit, kjo shënon fundin, sonte do bjerë. Dhe situata që ka vazhduar, ka prodhuar edhe atë mosbesimin, duke u shndërruar një lloj bumerangu, sepse nëse konsumohet shpesh, bëhet inflamatore si fjalë, si përdorim, nuk ngjit më.














