Nga Boldnews.al
Protesta e opozitës mbrëmjen e së shtunës i pati të gjitha. Revoltë, reagime, përplasje dhe shoqërime të shumta drejt komisariateve të Tiranës. Llogaritë në fund sollën një faturë të papërballueshme për një vend që thotë se është demokratik. Zelli i pashjegueshëm i strukturave të rendit për të aplikuar dhunën në mënyrë jo proporcionale, është elementi që nuk i përket vetëm një nate, por shenja më e fortë që dhuna nga strukturat e rendit në vijim do të jenë edhe më të ashpra.
Të jenë të paaftë në menaxhimin e revoltave? Vështirë të thuhet kur strukturat tona të rendit edhe para situatave më elementere nuk treguan amatorizmëm por militantizëm. Ashtu sikurse politika në pushtet ata ndjejnë se po u shket dheu nën këmbë dhe në mllef e sipër vendosën të zëvendësojnë uniformën e rëndë të policisë me tutat e sportit të Rilindjes.
Gazi lotsjellës i përdorur dendur ndaj qytetarëve protestues prej dy vitesh është i skaduar. Sytë në ballë i kish policia e Prodës, por perdja mavi është si qepen çeliku për të mos menduar jetën e çdo qytetari, protestues të acaruar apo paqësor. Lëshimi i helmit masiv depërtoi edhe në shtëpitë e qytetarëve.
U kthye koha e gjeneralit të gazit, Sandër Lleshi, i cili ka humbur me kohë që nga momenti që Rama i hoqi “siguresën” e trurit. Për të kuptuar zellin e mbrojtjes së pushtetit nga një polici e inkriminuar deri në ind, vlen krahasimi i dy kohëve të kryepolicëve me mendësi të njëtë. Dikur, Ardi Veliu i njohur me pseudonimin “kambalja”, zbrazte gazin në rrugët e Tiranës kundë protestuesve të opozitës në vitet 2019-2020. Ministri Sandër Lleshi hapi tender duket marrë gaz lotsjellës në sasi të madhe të prodhuara në fabrikës Zastava të Sandrit të Serbisë, mikut të Ramës. Gazi skadoi bashkë me një qeveri e polici të skaduar me kohë, por që vijon të helmojë çdo ditë qytetarët e mbetur në një vend që po zbrazet çdo ditë e më shumë.
Tashmë kryepolici është tjetër, ministri është tjetër, por forma nuk ka ndryshuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është Ilir Proda, i sjellë me katapult nga oazi i krimit në Elbasan, për ta bërë numrin një të policisë së shtetit. Kaloi me profesionalizëm të lartë testin e “Shkollës së Partisë”, duke dhënë shembuj se është gati të shkelë çdo normë.
Autobotet me ujë nuk kursyen kënd, teksa pas tyre policë me skafandra nisën lojën e hedhjes së gazit lotsjellës pa hesap. Asgjë nuk kishte përfunduar derisa tre kapuçzinj policë, të veshur civilë, rrëmbyen një fëmijë, vetëm 11 vjeçar. Po, vetëm 11 vjeç i cili dyllë i verdhë nga frika lutej mos e dërgonin në komisariat. Tmerr në sy të kamerave ku të zellshmit e pushtetit nuk dinë të ndajnë më peshkun e kuq nga peshkaqeni.
Jashtë çdolloj protokolli e morën dhe e shoqëruan në komisariat. Të miturin Romeo. K, e mbajtën disa orë dhe më pas e lanë të lirë, duke regjistruar një rast të paprecedent dhe kapërcim të çdo kufiri moral, njerëzor dhe profesional.
Po aq i rëndë ishte justifikimi i policisë. Sipas tyre, fëmija po godiste me gurë. Po dhe në qoftë e vërtetë, sa forcë ka guri i një të mituri? Po protokollet e shoqërimit në polici si janë për minorenët? Ishte pikërisht rasti që nuk të kërkohet ID për të kuptuar moshën, pasi fëmija i parritur, krejtësisht i frikësuar zgjaste duart e vogla duke kërkuar mëshirën e atyre policëve që janë pjellë e sistemi që kërkon të mbajë pushtet me çdo kusht, duke përdorur mjetin që njeh më mirë; dhunën dhe frikësimin. Kapuçzinjtë në polici po bëjnë stërvitje të gjata duke demostruar forcën.














