Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, do të dalin sot (e shtunë, 17 janar), para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.
Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela.
Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.
Ndërkohë një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.
Si ndodhi arratisja e Altin Ndocit
Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.
Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.
Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.














