Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit, shpalli një afat të detyrueshëm për digjitalizimin e pagesave në Shqipëri, duke theksuar se deri në qershor 2026 çdo biznes në sektorin e turizmit dhe transportit duhet të ofrojë alternativa elektronike përveç pagesave me cash, ndërsa brenda vitit të ardhshëm kjo detyrë do të shtrihet në të gjitha bizneset e vendit.
Ky vendim sipas Ramës synon reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe rritjen e transparencës ekonomike, por nga ana tjetër ngre pikëpyetje mbi gatishmërinë e bizneseve të vogla për të përballuar kostot e pajisjeve dhe sistemet e nevojshme, si dhe mbi nivelin e përgatitjes së infrastrukturës financiare për të mbështetur një tranzicion kaq të shpejtë.
“Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim.
Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike.
Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës. Që vendas apo vizitorë të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike”, tha Rama.














