Erjon Xhemali tregon, se në vitin 2017 ka firmosur një kontratë paraprake shitblerjeje me firmën “Globus Construction” me bashkëpronarë Sokol Mediaj dhe Spiro Pando, për blerjen e një apartamenti 1+1, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në Vlorë.
Pasi bleu dhe mobiloi apartamentin, Xhemali u largua për Itali. Kur u kthye në verën e 2021, gjeti derën e apartamentit të mbyllur nga një zotëri, që pretendonte se ishte pronari i truallit.
Ndërtuesit i thanë se kishte ndodhur një gabim, por më pas nuk iu përgjigjën më telefonatave të tij. Xhemali denoncoi rastin në Prokurorinë e Vlorës për marrje prone me mashtrim, por prokuroria vendosi mosfillim të çështjes.
Arsyeja ishte, se nuk kishte vepër penale, por një mosmarrëveshje juridiko-civile, që palët mund ta zgjidhnin në gjykatë, sipas kontratës noteriale.
Kontrata paraprake dhe pagesat që ai ka kryer, dokumentojnë qartë plotësimin e detyrimeve financiare nga blerësi, ndërsa kontrata e vitit 2016 midis ndërtuesve dhe pronarit të truallit tregon se apartamenti ishte pjesë takuese e dikujt tjetër.
“Në vitin 2017 kam firmosur një kontratë shitblerjeje paraprake me “Globus Construction”, të Sokol Mediaj dhe “Spiro Pando shpk” të Spiro Pandos, për blerjen e një apartamenti, në lagjen “Ujë i ftohtë”, në Vlorë. Kontrata e firmosur përpara noteres Luljeta Cenaj, te zyra e saj. Në momentin fillestar të kontratës, janë paguar 15 mijë euro.
Kontrata gjithsej ishte 28 mijë euro dhe më pas janë paguar 6 mijë euro, prapë te llogaria e “Globus Constuction Shpk” dhe dy mandat-pagesa nga 7 mijë euro te llogaria e Spiro Pandos. Totali është 35 mijë euro, sepse janë bërë punime ekstra dhe janë paguar 8 mijë euro tepër. Kam marrë çelësat e apartamentit dhe më ka dhënë mundësinë ta arredoj. Kam sjellë të gjitha mobilet nga Italia. Në kthimin tim, në beharin e 2021-shit mos gabohem, e gjeta derën mbyllur. Një person, që ishte i zoti i tokës, u prezantua.
Në fillim pretendoi, që çelësat ia kishin dhënë Spiro Pando dhe Sokol Mediaj. Ata, në fillim thoshin, që bëmë gabim, pastaj thanë, që ky zotëria e ka shqyer derën dhe është futur me forcë. Spiro Pando, pasi më ka marrë një vit rresht, ta rregulloj, do vesh një kat më lart, do vesh një kat më poshtë, do të jap unë lekët, për të blerë mobilet dhe nuk m’u përgjigj më në telefon.
Denoncova në prokurori për marrje prone me mashtrim. Prokuroria mori vendimin, të mos t’i ndiqte këta zotërinjtë në mënyrë penale. Vajti gati mbi dy vjet. Unë kam nevojë, që apartamentin, që e bleva, e arredova dhe gjithë sendet e mia personale, të më rikthehen mbrapa dhe dua, që fëmijët e mi, siç vija unë në plazh atje, të venë dhe ata, të rriten atje. Për mua, lidhja me tokën e Vlorës, është shumë e rëndësishme, edhe pse kam mbi 30 vjet, që jam larguar”, tha denoncuesi. /Tv Klan














