Nga Boldnews.al
Prej pesë ditësh dhe netësh i gjithë qyteti i Vlorës është pa pikën e ujit. Shkaku thonë se është një copë tub i dëmtuar i cili solli katastrofë higjenike.
“Fatkeqësi natyrore”, u justifikua kryebashkiakja, “edhe unë jam pa larë”, tha kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, “është një tub unik”, u justifikua një deputet i PS-së dhe në fund shpërtheu një entuziazëm ashtu si fekalet nëpër Vlorë… “Do vijë tubi nga Stambolli”, tha vetë kryeministri dhe enturazhi i tij. “Faji është i Saliut”-gjetën “arsye” ca të tjerë.
Të thuash tmerr është pak. Mijëra qytetarë po përballen me gati pandemi higjenike, të zhytur në erën e keqe, mikrobet dhe frikën se për fundin e vitit do bëjnë gëzuar me kolerën Rilindase nëpër këmbë.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…”, shkruan kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kur Vlora qelbej erë kudo, e madje shtrëngonin … (veten) për të zgjatur sa më shumë jashtëqitjen, sepse nuk kishin me ç’ta lanin, gati të gjithë drejtuesit e Bashkisë Vlorë të veshur e krekosur, por të parfumosur dendur, vendosën të mbanin një mbrëmje gala me muzikë e shfaqje të përzgjedhur. Hare e aheng për këta koka të mëdha, që morri kish nisur tu bënte fole në çaç të kresë…
U ndjenë të bezidisur kur një grup qytetarësh që me bidona bosh në duar lëshuan thirrjet: “duam ujë”,- u prishën shfaqjen. Por edhe më rëndë qe papërgjshmëria e ditës së sotme ku më shumë se të merreshin me defektin, justifikoheshin se faji nuk ishte i tyre, duke e hequr përgjegjësinë nga b… tyre, prej 5 ditësh e palarë.
Vlora nuk vuan vetëm sot për ujë të pijshëm. Përgjatë sezonit turistik ankesat ishin të shumta, por në këtë qytet më shumë se mungesa e ujit, e rrugëve të brendshme të rrënuara është ngulitur frika e revoltës. Rreth 100 qytetarët (të cilët meritojnë vlerësimin më maksimal) mësynë në dyert e bashkisë, por vetëm kaq, pasi u rikthyen të gjithë në banesë, duke pritur ndonjë bidon që vjen nga autobotet, ku edhe aty ndodhi çudia.
Pasi u kishte shpërndarë pak ujë disa lagjeve, UKV (Ujësjellës Kanalizimet Vlorë), bëri thirrje që ujin e autoboteve mos e “merrnin oral”… Kjo nënkuptonte se ai ishte vetëm për “analët” e pushtetit lokal dhe qëndror që për fatin e tyre të mirë si gjithnjë ia hedhin çdo skandali. Po si mundet që në mesin e dimrit të vuajnë për ujë, e mbi të gjitha të justifikohen se “ishte fatkeqësi natyrore”, kur prej dy javë moti është i kthjellët, pa përmbytje e rrëshqitje?
Këtë herë një tub i gjerë dhe i gjatë nga Stambolli shërbeu si “klizmë” e shtrirë në analet e qeverisësjes për të shpërthyar me pas në diarre propagandistike. Në ardhtë apo jo uji brenda mësnatës sikurse premtuan, nuk ka asnjë rëndësi. Më shumë se uji vlen propaganda, e cila këtë herë pati brenda dhe ironi therëse në tallje të frikshme.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan Rama.
Asnjë e keqe se gjeti edhe kur 100 mijë banorë i lë për pesë ditë e net pa pikën e ujit, shpëtim u bë një tub nga Stambolli që shpëtoi përsëri b… e Rilindjes. U pafshim në skandalin e radhës!














