Një tragjedi e rëndë ka tronditur sportin spanjoll, pas mbytjes së një anijeje turistike në Indonezi, ku humbën jetën trajneri spanjoll Fernando Martín dhe tre fëmijët e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë destinacionit turistik Labuan Bajo, ku anija po udhëtonte me gjithsej 11 persona në bord. Sipas autoriteteve lokale, mjeti lundrues u përmbys për shkak të dallgëve të forta që arrinin deri në tre metra.
Mes viktimave është Fernando Martín, trajner i ekipit Valencia CF Femenino B, ndërsa bashkëshortja e tij, Andrea, dhe vajza e tyre shtatëvjeçare, Mar, arritën të mbijetojnë. Shtatë persona të tjerë, përfshirë katër anëtarë të ekuipazhit, u shpëtuan.
Klubi i Valencias ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, duke shprehur ngushëllime për humbjen tragjike:
“Jemi thellësisht të tronditur nga ndarja nga jeta e Fernando Martín, trajner i Valencia CF Femenino B, dhe tre fëmijëve të tij, pas një aksidenti tragjik detar në Indonezi. Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.”













