Pesë anëtarët e Partisë Demokratike, në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të martën, ora 11.00, të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, shprehet se 3 ditë kanë qënë mjaftueshëm për palën mbrojtëse që të njihet me provat dhe se tashmë duhet te diskutohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Në kërkesën e 5 anëtarëve të PD drejtuar Kryetarit të Kuvendit thuhet se:
“Në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne, 1/2 e anëtarëve të Këshillit:
– Duke e konsideruar periudhën më shumë se 3 ditore si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë;
– Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posacme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;
– Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posacme që cështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;
– Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;
Kërkojmë:
1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e martë, datë 23 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit – Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.
Deputetët e PD theksojnë se: “thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6, të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.”. 
















