Dy persona janë arrestuar nga policia, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kundrejt pagesave monetare transportonin emigrantë të paligjshëm me qëllim kalimin e kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, në flagrancë u arrestuan shtetasit B. M., 56 vjeç, dhe M. M., 24 vjeç, të cilët u kapën duke transportuar me dy automjete gjithsej 12 emigrantë të huaj.
“Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “Relay”, të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, B. M., 56 vjeç, dhe M. M., 24 vjeç, të cilët u kapën nga shërbimet e Policisë në qytetin e Kukësit duke transportuar me dy automjete 12 emigrantë, me qëllim kalimin e tyre të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kundrejt shpërblimit monetar.
Nga hetimet rezulton se emigrantëve u ishte premtuar transportimi nga kufiri grek drejt pikave kufitare, për të vijuar më tej drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të dyshuar, Sh. K., 40 vjeç, dhe E. S., 22 vjeç. Puna vijon për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.”, njofton policia.













