Ilir Meta, pritet të paraqitet sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku do të japë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011.
Meta ka kërkuar vetë të dëshmojë për dosjen e “21 Janarit”, duke iu drejtuar SPAK-ut me një kërkesë zyrtare për t’u thirrur. Ai ka pretenduar se, për shkak të funksioneve shtetërore që ka mbajtur në atë periudhë, disponon të dhëna që mund t’i shërbejnë hetimit.
Ngjarja e 21 janarit 2011 shënon një nga episodet më të rënda të dhunës politike në vend, kur gjatë një proteste të opozitës para godinës së Kryeministrisë, u qëlluan për vdekje katër protestues nga Garda e Republikës. Viktimat ishin Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Në kuadër të hetimeve të rihapura, SPAK ka marrë më herët dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, si edhe të disa zyrtarëve të tjerë të përfshirë në zinxhirin institucional të asaj kohe.














