Nga Boldnews.al
Historia e dyshuar korruptive e Belinda Ballukut, e cila formalisht është “shkelje e barazisë në tendera” për të paktën 8 procedura të ndryshme me vlerë të përllogaritur në rreth 340 milionë euro, e ka vendosur kryeministrin Edi Rama në pozitën e disa “herëve të para”.
– Për herë të parë, kryeministrit Rama i merret e pandehur një ministre në detyrë. Më herët, kreu i qeverisë i ka zhveshur nga pushteti politik, para se individët si Saimir Tahiri, Lefter Koka apo Arben Ahmetaj, të shndërroheshin në subjekte arrestimi të Prokurorisë dhe Gjykatës. I njëjti fat, “zhveshje politike” para arrestimit, u është rezervuar edhe deputetëve Alqi Bllako e Jurgis Çyrbja.
– Për herë të parë, kryeministrit Edi Rama i pezullohet një ministër në detyrë, pasi më herët ai i ka larguar nga detyra, para se t’ua dorëzonte Prokurorisë.
– Për herë të parë, kryeministri shfrytëzoi të drejtën e tij kushtetuese për t’iu drejtuar me ankim Gjykatës Kushtetuese, për të shfuqizuar pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme.
– Për herë të parë, kryeministri Edi Rama u vendos haptazi në kurs përplasjeje me Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Deri më tani, kreu i qeverisë ka kuruar, në mënyrë të rreme, imazhin e politikanit që respekton pavarësinë e “drejtësisë së re”.
– Për herë të parë, kryeministri Rama “faktorizoi” Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), kur iu vërsul me logorenë e fjalëve atyre që i konsideroi si “trimosha me patllake”.
– Për herë të parë, kryeministri Rama do të orientojë maxhorancën e tij parlamentare mbi mënyrën e votimit për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin për arrestim të një deputeti, me attribute ministri në detyrë.














