Kryedemokrati, Sali Berisha, ka deklaruar ditën e sotme se Gjykata Kushtetuese po kërcënohet, për rastin e Belinda Ballukut.
Kushtetuesja pritet të vendosë sot nëse do të marrë në shqyrtim kërkesën e kryeministrit Rama lidhur me pezullimin nga detyra të Ballukut, ndërsa pak orë para shpalljes së vendimit, Berisha pretendon se anëtarët po kërcënohen dhe shantazhohen me video.
“Personeli i Gjykatës Kushtetuese është përdorur për komprometim edhe video të ndaluara për përdorim, për t’u imponuar dorëheqje dhe largim. Me këto regjistrime që bën SKAP-i mund t’u ndodhë cdo gjë atyre. A e ka bërë SKAP-i apo ka ndonjë manjak aty që vendos kamera këtë nuk e di unë”,- tha Berisha në një deklaratë për shtyp.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Belinda Ballukun, duke i ndaluar gjithashtu daljen jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për shkelje në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe po hetohet për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, ku dyshohet se fituesit janë paracaktuar.














