Pavarësisht kundërshtive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Bashkimi Evropian, socialistët i dhanë miratuan me 75 vota pro, 20 kundër dhe 0 abstenim projektligjin “Për Marrëveshjen Fiskale’.
‘Paqja Fiskale’ do të jetë në fuqi nga 1 janari 2026 deri në fund të vitit 2028.
Ligji i miratuar parashikon që të gjitha detyrimet e akumuluara deri më 31 dhjetor 2014 të fshihen automatikisht, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në total, nisma prek rreth 2 miliardë euro detyrime, nga të cilat rreth 1 miliardë euro do të falen plotësisht, pasi i përkasin borxheve me mbi 10 vite vjetërsie, pa llogaritur detyrimet e sigurimeve.
Edhe pse Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile propozimit të Erion Braçes që kompanitë që do të përfitojnë nga paqja fiskale duhet të deklarojnë burimin e parave dhe pronarin përfitues, me propozim të Taulant Ballës ky ndryshim u hoq në kuvend.
Borxhi prej janarit të vitit 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2024, arrin në vlerën e 84,4 miliardë lekë ose 844 milionë euro bashkë më gjobat e kamatëvonesat, pa përfshirë sigurimet shoqërore.
Për këto detyrime të kësaj periudhe, do të falet 50% e detyrimit nëse pjesa e mbetur paguhet me një këst brenda qershorit të 2026-ës.
Kur ky kusht nuk realizohet do të falet 25% e borxhit, nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit të vitit 2026. Në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat thuhet në projektligj do të fshihen.
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.
Të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita, si dhe deputeti socialist Erion Braçe, u rrëzuan.













